I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach ka kritikuar veprimet e policisë së Kosovës ne komunat në Veri.
Ai ka patur një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe KFOR. Pas takimit me kryeministrin Kurti, Peach thotë se veprimi i qeverisë së Kosovës për të mbajtur me dhunë kryetarët e komunave ishte i pamatur dhe ka pasoja të rënda.
I dërguari i posaçëm tha se tensionet duhet të ulen menjëherë, ndërsa shprehet se pas bisedave me homologët ne Bruksel dhe Uashington për ngjarjet e fundit në veri, ka kuptuar se imazhi ndërkombëtar dhe reputacioni i Kosovës është dëmtuar shumë me aleatët e saj.
Stuart Peach shtoi se Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur Kosovën dhe do vazhdojë ta bëjë, por veprimet e qeverisë në ngjarjet e fundit do ta bëjnë të vështirë vazhdimin e përkrahjes së Kosovës.
Kjo është vizita ime e katërt në Kosovë dhe vjen në një kohë serioze.
Postimi i Stuar Peach
Kam takuar kryeministrin Kurti dhe kam pasur takime edhe me zëvendës kryeministren Gervalla, me ministrin e Mbrojtjes Mehaj, me KFOR-in dhe me ambasadorin Hovenier.
Në takimet e mia me qeverinë kam dhënë një mesazh shumë të qartë: veprimi i qeverisë së Kosovës për të imponuar me dhunë kryetarët e komunave në ndërtesat komunale ishte i pamatur dhe ka pasur pasoja të rënda.
Është e nevojshme që të gjitha palët të de-përshkallëzohen tani. Unë i kam ndjekur me vëmendje ngjarjet dhe kam folur me homologët në Uashington, Bruksel dhe më gjerë. Ato biseda më kanë bërë të qartë se ngjarjet e fundit kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj me aleatët e saj.
Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar Kosovës në kohët më të mira dhe më të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, por veprimet e njëanshme vetëm sa do ta bëjnë këtë më të vështirë.