Rregullatori federal i shëndetësisë në Brazil Anvisa pezulloi të shtunën përdorimin e mbi 12 milionë dozave të vaksinës Sinovac Biotech, të prodhuara në një fabrikë të paautorizuar, thuhej në një deklaratë për medie.
Më tej në deklaratë thuhej se masa e pezullimit ishte paralajmëruar të premten pas një kontrolli në qendrën biomjekësore, shkruajnë mediet e huaja.
“Njësia prodhuese … nuk u inspektua dhe nuk u miratua nga Anvisa në autorizimin e përdorimit urgjent të vaksinës së përmendur,” tha rregullatori. Ndalimi ishte “një masë paraprake për të shmangur ekspozimin e popullsisë ndaj rrezikut të mundshëm të afërt,” shtoi ai.
Masa e pezullimit do të jetë në fuqi për një periudhë kohore prej 90 ditësh. Gjatë kësaj kohe agjencitë e autorizuara do të mësojnë më shumë për sigurinë e vaksinave kundër Covid-19.