Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur lidhur me miratimin e sigurimeve shoqërore në Greqi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe tha se duhet të lëvizin menjëherë për të bërë një marrëveshje me shtetin fqinj lidhur me sigurimet shoqërore të shqiptarëve të cilët prej vitesh punojnë dhe kontribuojnë për shtetin grek.
“Së treti, kjo lidhet drejtpërdrejt me Parlamentin, të merren drejtpërdrejt me institucionet kushtetuese që lidhen drejtpërdrejt me Parlamentin. Sot Kroacia miratoi marrëveshjen e sigurimeve shoqërore, njëlloj edhe Zvicra me Italinë, kjo e fundit në prag. Mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë duhet të përfitojnë.
E vetmja që nuk lëviz është Greqia, ku shqiptarët ku kanë kontribuar për vite me radhë kanë kontribuar ekonominë greke, kanë paguar sigurimet shoqërore. Kjo çështje është themelore, duhet bërë edhe çështje e parlamentit. Presioni mbi autoritetet greke të arrijë në maksimum, që punëtorët shqiptarë të marrin mbrapsht kontributet e sigurimeve shoqërore”, tha Braçe.
LEXO EDHE:Kroacia njeh pensionet e shqiptarëve, kalon marrëveshjen për sigurimet shoqërore
Kujtojmë se ditën e sotme Kroacia ishte shteti i radhës me të cilën, vendi ynë nënshkroi marrëveshje për njohjen e pensioneve, për të cilën do të përfitojnë rreth 3,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci dhe anasjelltash.
Marrëveshja është nënshkuar sot në Zagreb, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu dhe Ministri i Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale të Kroacisë, z. Marin Piletić.
Një ditë më parë, më 1 tetor, hyri në fuqi marrëveshja me Zvicrën, ndërkohë që Shqipëria zbaton marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Hungarinë, Çekinë, Kanadanë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Kosovën, Austrinë dhe Belgjikën. Janë në proces ratifikimi nga palët e huaja marrëveshja me Rumaninë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.