Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë që të ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Zhvendosja e trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.
Borrell tha në deklaratë për mediet e huaja, se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen aktuale veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”. Policia e Kosovës gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pak orë pas sulmit.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Serbia i ka mohuar se është përfshirë në këtë sulm të cilësuar, si terrorist nga autoritetet në Kosovë. “Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell.