Vetëm pak shtete në Bashkimin Europian i mbrojnë komunitetet fetare përmes “paragrafit të blasfemisë”. Në Gjermani ai ekziston nga viti 1871, por zbatimi i tij në praktikë bëhet shumë rrallë. Gati 81 vjet me radhë paragrafi kundër blasfemisë ndaj zotit penalizonte ata që e kryenin atë. Ka një vit që kjo normë ligjore i përket historisë. Deputetët në të vërtetë realizuan atë që më parë e kishin bërë realitet gjykatat: Nga viti 1968 nuk ish dënuar asnjë i akuzuar mbi bazën e këtij ligji.
“Paragrafi i blasfemisë” shpërblen personat agresivë
Proceset gjyqësore kundër blasfemisë, ose siç formulohet në ligjin gjerman “Fyerjes së besimit, të komuniteteve fetare dhe pikëpamjeve të organizatave” përbëjnë përjashtim edhe në gjyqet e Gjermanisë. Mund të numërohen me një dorë rastet e tilla, sipas statistikave të gjykatave në vitet e fundit. Kjo lidhet me zhvillimet në shoqëri, por edhe me reformimin e këtij paragrafi ligjor.
Ndalimi i blasfemisë që nga viti 1871 ndiqte penalisht rastet e blasfemimit të zotit si të tilla. Por nga viti 1969 parësor nuk është akti i blasfemisë ndaj një zoti të caktuar, por pasojat e tij. Vetëm po qe se fyerja është e tillë ” që prish paqen publike”, mund të jepet një dënim deri në tre vite burg apo gjobë.
Blasfemia parimisht e lejuar
Politikanët në vitet 60-të synonin ta largonin nga debati juridik dhe politik temën e blasfemisë, prandaj sanksionet ligjore duhej të vendoseshin vetëm në raste pasojash të rënda. Një kufizim ky që për profesorin e juridikut në Universitetin e Augsburgut, Prof. Johannes Kaspar nuk është konsekuent: “Mënyra se si është formuluar ligji tani, të thotë: komunitetet fetare mund të ofendohen si të duash, për sa kohë që nuk pritet prej kësaj prishja e rendit e paqes publike.”
Vitin e kaluar Prof. Johannes Kaspar u angazhua shumë në konferencën e juristëve në Hanover për të fshirë nga kodi penal gjerman (StGB) paragrafin 166. Paragrafi 166 i kodit penal gjerman nuk e mbron individin nga fyerja, por vetëm përmbajtjen e një besimi apo botëkuptimi fetar. Se ku janë kufijtë, këtë e vendosin vetë prokurorët dhe gjykatësit sipas rasteve që paraqiten. Një detyrë delikate: “Po qe se e interpreton shumë lirshëm këtë paragraf, satirikët dhe karikaturistët kryejnë rregullisht veprime të penalizueshme. Por këtë ne nuk e duam në Gjermani. Përkundrazi: Ne theksojmë lirinë e shtypit dhe shprehjes së mendimit”, thekson Kaspar në bisedë me DW.
Pak dënime
Në praktikë shumë pak prokurorë dhe gjykatës i referohen ndalimit të blasfemisë. Nga 60 raste në vitin 2013 sipas statistikave kriminle të policisë, shumica nuk dolën para gjykatës. Edhe në rastet kur këto raste dalin para gjyqit, gjykatat theksojnë gjithmonë prioritetin e lirisë së shprehjes, artit dhe shtypit. Kur tre xhami në verën e vitit 2012 donin të ndalnin karikaturat e Mohamedit gjatë një demonstrate, Gjykata e Lartë Administrative e Berlinit dha një refuzim të trefishtë: Karikaturat kategorizohen si pjesë e lirisë së shtypit, paraqitja e tyre nuk është thirrje për urrejtje apo ushtrim dhune, dhe nuk ka “një fyerje” në kuptimin e përçmimit të një besimi fetar” – në këtë konkluzion arriti gjykata.
*Marrë me shkurtime nga Deutsche Welle