Biznesmeni Erion Mane ka denoncuar ditën e sotme nga Presidenca drejtorin e DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, duke e akuzuar se i kanë vënë gjoba në mënyrë të padrejtë.
Ai ka nxjerrë bisedat me Gonxhen, ku i ankohet drejtorit të DPSHTRR-së për gjobat dhe fillimisht merr përgjigje pozitive, por më pas Gonxhe i dërgon një postim që Mane ka bërë për Monika Kryemadhin dhe i bllokon numrin.


Pas kësaj, Mane thotë se i kanë ardhur mesazhe nga patronazhistët, ku i tregojnë të dhënat e familjarëve të tij dhe të biznesit që ai zotëron. Biznesmeni Erion Mane thotë që është i gatshëm të përballet në SPAK me Gonxhen, ndërsa shtoi se do të kërkojë azil politik pasi nuk ndihet i sigurtë.
“Kemi bërë një takim me presidentin për vështirësitë që kishim nga pandemia. Pas lirimit të masave, çdo të shtunë unë kam marrë gjoba nga autoritetet rrugore. Unë jam ankuar dhe e vetmja gjë që më kanë thënë është t’i drejtohem gjykatës.
Marr një mesazh nga shoferi ku më thotë se e kishte ndaluar policia, dhe po i kërkonin me themel çdo lloj dokumentacioni. Ia ka dhënë dhe e kanë lënë të iki, por është ndaluar për herë të dytë dhe i kanë kërkuar tahografin. Ia ka dhënë edhe atë dhe e kanë lënë të iki. Por e kanë ndaluar për herë të tretë dhe polici në radio i ka kërkuar efektivit që t’i vendoste gjobë dhe t’ia dërgonte me mesazh”, thotë Mane.
Qytetari tregon bisedën me Blendi Gonxhen, ku i ankohet për gjobat që ka paguar padrejtësisht, ndërkohë që Gonxhe i thotë se do të njoftojë personat e autorizuar. Gjatë bisedës me Blendi Gonxhen, ky i fundit i thotë biznesmenit që të mos paguajë asgjë pasi të gjitha do të rregullohen.
“Nga Blendi Gonxhe më vjen një postim i imi ku ishte një shprehje dhe një foto e zonjës Kryemadhi, ndërsa pas saj më dërgon edhe një postim elektoral dhe më pas më bllokon numrin”, shprehet biznesmeni Erion Mane.
Më pas më vijnë nga patronazhistët dhe më dërgojnë të dhënat e mia, të motrës, të babait. Unë i kërkova ndihmë presidentit dhe do të kërkoj azil politik. Unë jam i rrënuar gjatë gjithë kohës. Jam i gatshëm për SPAK, para Prokurorisë dhe Drejtësisë”, tregoi Erion Mane.
