Të gjitha bizneset që ndodhen në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” kanë marrë sot njoftimin për t’u larguar përpara të hënës së 6 qershorit, pasi do të nisë shembja e impiantit.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, “Qemal Stafa” do të shembet javën e ardhshme, për t’i hapur rrugë ndërtimit të impiantit të ri, të pagëzuar si “Arena Kombëtare”.
Ndërkohë, detaje të reja bëhen të ditura sa i përket ndërhyrjes së kryeministrit Edi Rama te puna e arkitektëve në projektimin e stadiumit të ri. Prestigjozja italiane “La Reppublica” shkruan se ka qenë Rama ai që ka kërkuar ngjyrën e kuqe të stadiumit të ri, për të zbutur grinë që mbizotëron në sheshin “Nënë Tereza” dhe atë “Italia”.
Projekti i stadiumit të ri është kritikuar shumë nga arkitektë shqiptarë dhe të huaj për shkak se shkatërron të gjithë ansamblin ku ai do të ndërtohet, ndërsa Partia Demokratike e ka konsideruar atë si një projekt korruptiv, të cilin do e anulojë kur të vijë në pushtet.