Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se presidenti serb Aleksander Vuçiç kërkon aneksimin e veriut të Kosovës.
I ftuar në “Syritv”, Berisha u shpreh se duhet të ketë asociacion brenda kuadrit kushtetues sipas projektit të SHBA, ku thotë se evropianët duhet t’i përmbahen këtij projekti. Sipas demokratit, referuar deklaratës së presidentit serb që nuk do e njohë Kosovën, tregon se ai nuk do marrëveshje por aneksim të Kosovës.
“Prej 1 viti amerikanët e kanë bërë të qartë, asociacion brenda kuadrit kushtetues dhe kjo duhet të shqiptohet njëlloj edhe nga europianët. Kjo nuk parashikon gjë tjetër veçse vetëqeversjes vendore. Vuçiç tregoi se nuk do marrëveshje. Ai do aneksim të veriut të Kosovës. Është Gjykata e Hagës që ka sanksionuar kufijtë e Kosovës”, u shpreh Berisha.
Më tej, lideri historik i PD tha serbët në veri të Kosovës kanë tre herë më shumë të drejta se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.
“Kapet i gjithë komuniteti ndërkombëtar në një asociacion, që do të thotë shoqatë. Serbët në veri të Kosovës kanë tre herë më shumë të drejta sesa shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bunjanovc. E rëndësishme është se gjërave duhet t’u vihen pikat mbi I. Ka një kontradiktë mes negociatorëve”, deklaroi politikani demokrat.