Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim ditën e sotme me kryetarët e degëve të PD, kandidatët e “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 14 majit, si dhe ata që u zgjodhën në krye të disa Bashkive.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se kandidatët e këtij koalicioni opozitar siguruan fitoren në kushte mjaft të vështira, dukeu zotuar për një qeverisje ndryshe.
Berisha: Dua të kthehemi te qëllimi i këtij takimi, ajo çka mund të them në terësi, ju si kandidatë keni bërë një punë shumë serioze, keni qenë të vetmit që paraqitët alternativë të vërtetë për problemet e bashkive tuaja, u dëshmuat njohës shumë të mirë të të gjitha problemeve, studiuat me interes të madh dhe paraqitët zgjidhje për keqqeverisjen dhe një alternativë shumë të mirë për të ardhmen.
Bëtë një fushatë serioze, dinjitoze, qëndruat të gatshëm në çdo rast për transparencë dhe ballafaqim me rivalët tuaj politikë, gjë e cila kam bindjen se është një detyrim i çdo kandidati dhe çdo politikani që merr pjesë në fushatën elektorale. Në këto zgjedhje natyrisht rezultati është larg atij që pritej e ju meritonit.
Por, përsëri duhet të shtoj se beteja jonë kishte qëllimin më madhor rikthimin e pluralizmit në qeverisjen vendore pasi për fatin më të keq PD në një kontribut anti historik kishte braktisur zgjedhjet e 2019-ës.
Sot në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën dhe për misionin që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal monizmit të plotë që ekzistonte, opozitë që ka një mision shumë të rëndësishëm për të bërë gjithçka për të nxjerrë para publikut grabitjen e papërmbajtur të pasurive nga qeveritarët në kurriz të varfërimit gjithnjë e më të tmerrshëm dhe përzënies
Nëse nuk kishim asnjë zë dhe gjer para 14 Majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte, tani kjo ka marrë fund. Përveç kësaj në disa bashki, fituan kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe jam i bindur se këta kryetarë bashkie do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin e për qytetarin. Këto janë disa nga arritjet e kësaj fushate, por theksoj se arritja më e madhe qëndron në faktin se një përpjekje mafioze shqiptare dhe ndërkombëtare për të asgjësuar opozitën shqiptare dështoi në mënyrën më të turpshme.
Mes të tjerave lideri i PD tha se pas denoncimit që opozita do të bëjë për shitblerjen e votave, do të nisin një analizë për zgjedhjet e zhvilluara më 14 maj.
Berisha: Kjo është java e fundit në të cilën ne kërkojmë nga ju kandidatë të bëni përpjekjen e madhe të fundit për të mbledhur çdo fakt që mund të ketë mbetur pa u mbledhur në mënyrë që ky raport të jetë sa më i plotë dhe ky raport do t’u paraqitet shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Pas përfundimit të raportit ne do të nisim analizën.
Është në detyrimin tonë një analizë, më seriozja që kemi bërë ndonjëherë për zhvillimet, për problematikat, për defektet e të gjithë makinerisë sonë elektorale nga kreu te anëtari më i thjeshtë. Analiza e zgjedhjeve që do të jetë faza tjetër pas denoncimit, do të bëhet me seriozitetin më të madh.