Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi e kanë derën e hapur në Partinë Demokratike të rithemeluar.
Berisha foli pas mbledhjes në selinë blu me anëtarët e komisionit të reformimit të PD-së, duke thënë se arritën të miratojnë një komision që do të drejtojë referendumin e datës 18 dhjetor për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Berisha tha se Basha është dhe mbetet deputet i PD-së, por sipas tij, ka probleme të mëdha me drejtësinë shqiptare dhe atë belge. Megjithatë Berisha tha se do ta prezumojë të pafajshëm Bashën.
“Që të dy janë dhe do të mbeten deputetë të PD, kjo është partia e lirisë, dhe po të duan e kanë edhe nenin e fraksionit aty. Unë e kuptoj që zoti Basha ka probleme të mëdha me drejtësinë, probleme të jashtëzakonshme, jo vetëm me drejtësinë shqiptare por dhe atë belge, por deri sa të provohet pafajësia në gjykatë, prezumimi i pafajësisë vlen edhe për të”, u shpreh Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Në mbledhjen që sapo përfundoi, unë u dërgova një përshëndetje të përzemërt demokratëve në Shqipëri, dhe ndërmjet jush përcjell një thirrje të përzemërt, miqësore ndaj çdo demokrate dhe demokrati që ende nuk ka vendosur të bashkohet me PD-në e rithemeluar. Është i mirëpritur dhe krah-hapur. Ju e ndoqët vetë kuvendin, a kam të drejtë unë t’u them atyre se në rast se do të ishit në kuvend, ju për herë të parë do të mund të shprehnit lirshëm mendimet, opinionet dhe propozimet. Ishte një rast i humbur, por megjithatë, unë jam nga ata që them, më mirë vonë se kurrë.
Unë u ktheva me vonesë, ata nuk janë kaq të vonuar, ndaj i ftoj të bashkohen. Ftoj kryetarët e PD që gjer tani janë të lëkundur, të bashkohen me anëtarësinë e tyre, se vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe ato janë në PD-në e rithemeluar, dhe jo në një parti në të cilën deputeti Basha e katandisi në një parti të majtë. Që do ia kishte lakmi çdo grupim i ekstremit të majtë. Revolucioni ka për detyrë kryesore referendumin e anëtarësisë për ratifikimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e peng-Bashës, kjo është fleta. Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin.
Do bëjmë gjithçka që të afrojmë sa më shumë kutitë e votimit me anëtarësinë. Ju unformoj se ish-kryetari Basha, ka kryer akte në PD që ngjiten në nivelin e krimit elektoral. Konkretisht, ka informuar anëtarësinë në votimin e fundit që të paraqiten me karta. I ka mbledhur kartat dhe nuk ua ka kthyer kartat e anëtarësisë. I garantoj ata se që të gjithë do votojnë. Nuk ka njeri që mund të pengojë duke u plaçkitur kartat anëtarësisë, që nuk e kisha dëgjuar kurrë ndonjëherë. Duket e ndjente dhe e dinte se gjykatësi do ta kërkonte përsëri për ato që ka bërë. Pra ne presim një rezultat të shkëlqyer në datën 18, sikundër ftoj çdo demokrat. Anëtarët të mos bëhen bashkëautorë në një akt të pashembullt, në një vendim antiligjor dhe antistatutor. Faleminderit.