Drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç ka numëruar ato që ai ka quajtur fitore diplomatike kundër Kosovës gjatë vitit 2015.
Sipas tij, serbët e Kosovës me vështirësi ia kanë dalë të mbijetojnë në djepin e shtetësisë serbe, ku ata kanë tokat dhe pronat e tyre.
“Parandaluam grabitjen e Trepçës. Me ndihmën e miqve ndërkombëtarë parandaluam edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Patëm shumë fitore. Një nga ato është edhe arritja e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe me Prishtinën. Ky është rezultati, pavarësisht rezistencës së madhe dhe pengesave nga Prishtina mbi implementimin e këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Gjuriç në një intervistë për Sputnik serb.
Megjithatë, sipas Gjuriçit, një nga çështjet më të rëndësishme për serbët në Kosovë, Asociacioni i Komunave Serbe, nuk është përmbushur ende. Sipas tij, synim i Serbisë në negociata është fuqizimi i të drejtave dhe stabilitetit për serbët e Kosovës.