Bashkimi Europian pritet të zhvillojë një “mini revolucion”, duke u zgjeruar me Ukrainën dhe nëntë shtete të tjera, kështu është shprehur ministrja e Jashtme franceze për Europën.
Një gjë të tillë e bëri me dije edhe presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një fjalimi surprizë për bllokun me 27 vende anëtare, në Sllovaki.
“Çështja për ne nuk është nëse duhet të zgjerohemi, por se si duhet ta bëjmë një gjë të tillë”, tha presidenti francez, i cili në 2019-ën vendosi veto ndaj bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Ministrja franceze e Europës, Laurence Boone, shpjegoi këtë të premte se zgjerimi i kufijve të BE-së do të përfaqësonte “një shkundje të madhe” që do të kërkonte ndryshime në funksionimin e grupimit i cili për herë të fundit pësoi një zgjerim të madh në vitin 2004.
“Kjo do të thotë të rishikojmë politikat tona, të bëjmë ndryshime në buxhete, në institucione”, tha ajo për radion Europe 1, duke shtuar se do të ishte “projekti për dekadën e ardhshme”.
Zgjerimi nënkupton marrjen në konsideratë “si ta organizojmë veten për të ecur përpara. Është një revolucion i vogël”, shtoi ajo.
Mbështetja e qartë e Macron për zgjerimin e BE-së, si dhe miratimi i tij për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s, është nxitur nga pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj në shkurt të vitit të kaluar.