Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka bërë një denoncim të fortë mbrëmjen e sotme dhe pretendon katër simpatizantë të Degës së Pukës janë kërcënuar e dhunuar nga militantë të kampit kundërshtarë. Referuar deklaratës, thuhet se atyre u është bërë pritë.
Në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë e Bashkisë Fushë-Arrëz “një bandë e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zaimir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike.”
Sipas deklaratës së koalicionit, përfaqësues të PS në Pukë kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka dhe i kanë qëlluar me qytën e pistoletës.
“Sipas raportimeve nga terreni, nga spitali dhe nga përfaqësues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pukë, si pasojë e dhunës ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Besmir Nika, dhe me plagë më të lehta vëllai i tij, Bledari. Të tre personat dhunues, sipas raportimeve, gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qarkulluar në zonë të armatosur dhe duke ushtruar presion e shantazh ndaj banorëve”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, Komisariati i Policisë Pukë ka reaguar për këtë rast dhe thotë se janë marrë deklarimet e personit të lënduar, si dhe janë shoqëruar për verifikim personat e akuzuar prej ti. Nga sqarimi i Policisë, në asnjë moment nuk përmendet arma, por thuhet se simpatizantët e PD janë qëlluar me grushte e sende të forta, por jo armë.
Pukë/Informacion paraprak
Policia ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve. Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se:
Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.
Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale. Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.