Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes me aleatët në selinë e PD-së, ka paralamëruar kryeministrin Edi Rama të mos shkelë Kushtetutën duke zgjedhur një ‘kryeprokuror politik’, që sipas Bashës do ketë për qëllim të mbyllë dosjet e krimit dhe korrupsionit të qeverisë Rama.
Basha i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në protestën para Parlamentit ditën e nesërme, kur edhe pritet të votohet Kryeprokurori i ri i përkohshëm. Kreu i demokratëve e quajti “puç ndaj Kushtetutës” dhe “përpjekje për të kapur drejtësinë” zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm, për të cilin opozita ka insistuar se duhet të dalë nga rradhët e KLP-së.
Fjala e Bashës:
Do kundërshtojmë me çdo formë dhe mjet demokratik puçin e Edi Ramës. Interesi i Edi Ramës është të shpëtojë Saimir Tahirin dhe të mbyllë dosjet e korrupsionit. Të ndihmojë narkotrafikantët dhe të ndalojë me çdo kusht nisjen e pastrimit të politikës nga mafia.
Nesër Edi Rama ka një qëllim, të emërojë kryeprokuror politik për të mbyllur dojset. Në këto kushte shqiptarët kanë vetëm një zgjidhje, të bashkohemi. Nëse nesër Edi Rama tenton të çojë deri në fund puçin e tij kushtetues, ta dijë që kostoja do jetë e madhe. Shqiparët nuk do ta pranojnë dhunimin e Kushtetutës. As kapjen e Reformës në Drejtësi.
Nesër bashkohemi për këto qëllime të mëdha që i ndajnë kombet e civilizuara nga kombet e skllavëruara. I ftoj të gjithë ata që duan demokracinë dhe reformën në drejtësi, që duan të jetojnë çdo ditë këtu, të gjithë të bashkohemi para Kuvendit në orën 09:30 para parlamentit.