Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë dënuar sulmet ushtarake që Rusia ka nisur mbi territoret e Ukrainës.
Basha shkruan se sulmi është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, ndërsa i bën thirrje të fortë OKB, NATO dhe BE që të mbështesin Ukrainën.
“Ne PD dënojmë ashpër agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar. Ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës ndërsa ata përballen me kërcënime për jetën e tyre nga agresioni i paprovokuar rus.
Ne bëjmë thirrje dhe mbështesim një reagim të shpejtë, të bashkuar dhe të fortë nga OKB, NATO dhe BE kundër këtij akti lufte kundër lirisë dhe sovranitetit të Ukrainës dhe kundër paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe më gjerë” shkruan Basha.
Kryemadhi shkruan se LSI dënon fuqishëm sulmin brutal të forcave ushtarake ruse ndaj Ukrainës dhe qëndrojmë të vendosur me aleatët dhe partnerët tanë në NATO dhe BE
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehim solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin e saj.
Ne dënojmë fuqishëm sulmin brutal të forcave ushtarake ruse ndaj tyre dhe qëndrojmë të vendosur me aleatët dhe partnerët tanë në NATO dhe BE, për një përgjigje të bashkuar dhe vendimtare, që garanton paqen dhe sigurinë e popullit të Ukrainës dhe botës”shkruan Kryemadhi.