Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me kryetarët e bashkive, në një ballafaqim mbi bilancet e qeverisjes vendore në vigjilje të sezonit të fundit të mandatit të tyre. Takimi do të vijojë gjatë gjithë ditës sot dhe nesër, me kryebashkiakët që do bëjnë një prezantim të punës për secilën bashki.
Gjatë prezantimit të parë, Edi Rama nuk kurseu lavdet për disa nga kryetarët socialistë, për më tepër ata që drejtojnë bashki të vogla dhe me më pak buxhet se ato në zonat e mëdha. Shembull së pari mori Bashkinë e Lezhës, me kryebashkiakun Pjerin Ndreu të cilin e ka falenderuar dhe më herët.
“Natyrisht që kemi të gjithë kohën në dispozicion dhe kemi gjithë kohën në dispozicion për t’i adresuar problemet dhe për të ‘’kapur trenin’’ ku janë më të mirët prej jush. Në të gjitha fushat e qeverisjes vendore ne kemi shembuj për të qenë krenarë. Është krenari që PS sot drejton Lezhën po të shikojmë nivelin e higjienës në plazh dhe po të shikojmë nivelin e kënaqësisë që kanë ata që pushojnë në gjithë vijën bregdetare të Lezhës, për shkak të punës shembullor që bën bashkia dhe kryetari i bashkisë në këtë rast.”
Më pas, kryeministri u ndal edhe te bashkitë e Cërrikut dhe Belshit. Dy bashki që i quajti “me halle të mëdha” por që falë lidershipit të ri ja kanë dalë të bëjnë diferencën.
“Që nga shembulli i Cërrikut që është një bashki me halle të mëdha të trashëguara, që është një bashki me një pozicion ekonomik dhe social shumë të vështirë, që është një bashki që për shkak të pozicionit gjeografik që ka në qarkun e Elbasanit ka qenë gjithmonë si e lënë pas dore dhe lidershipi i kryetarit të bashkisë ka bërë diferencën, kryetari i ri i bashkisë.
Ndërkohë kemi bashkinë e Belshit që kryetari nuk është më i ri, është veteran, por vazhdon të jetë një bashki shembullore. Pra ngopja apo mbingopja me pushtetin është e atyre që harrojnë se kush i ka çuar atje dhe pse i ka çuar atje, nuk është e lidhur me sa herë njerëzit i kanë besuar se normalisht sa më shumë njerëzit të besojnë duhet të gjesh forca që të motivohesh për të bërë më mirë dhe më shumë dhe kjo ndodh në Blesh.”
Edi Rama nuk mund të mos ndalej te Vlora, ku prej kohësh “i ka bërë dalje” kryebashkiakut Dritan Leli, i cili zgjodhi të mbante bashkinë e qytetit bregdetar dhe të mos përfshihej në zgjedhjet parlamentare të 25 prilli.
“Ndërkohë që kemi bashki si Vlora që ka pasur një vëmendje të veçantë me të drejtë nga qeveria, por që ka një kryetar bashkie i cili fle gjumë. Vlora që me gjithë atë potencial që ka dhe më gjithë atë mbështetje që ka, nuk duhet ta diskutonte të qenit xixë në mëngjes, në dreke e në darkë, minimalisht xixë.”
Me superlativa kryeministri foli dhe për Bashkinë e Pogradecit. Ai e quajti atë një shembull sepse edhe pse ka mjete të kufizuara, merr frymë lirisht sot nga këmbëngulja e kryetarit. Të tillë e konsideroi dhe Bashkinë e Matit.
“Pa folur për bashki të cilat kanë potenciale të mëdha siç është Pogradeci dhe Pogradeci tani po hyn në një fazë që po merr më shumë mbështetje për shkak se po materializohen disa projekte të mëdha me donatorë që kanë filluar prej kohësh, por ndërkohë është një shembull për faktin se me mjetet e kufizuara që ka bashkia falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë, qyteti merr frymë lirisht sot. Kjo është shumë e rëndësishme.
Një tjetër realitet i vështirë, objektivisht i vështirë është Mati. Po shkoni shikoni bashkinë e Matit për të kuptuar se çfarë mund të bëjë individi kur nuk e harron në asnjë ditë pse është aty, kush e ka çuar aty dhe kur përpiqet të lërë gjurmë.”
Edi Rama u ndal dhe të Bashkia e Shijakut. E quajti bashki kampion para të gjithë kryebashkiakëve të tjerë dhe theksoi se Tirana dhe Durrësi madje mund të mësojnë nga Shijaku, që drejtohet naga Elton Arbana.
“Ne patëm një proces shumë të të dhimbshëm, shumë të vështirë, shume kompleks, shumë sfidues që ka venë në vështirësi edhe vende shumë më të organizuara se ne, procesin e rindërtimit pas tërmetit katastrofik dhe bashkia me shembullore krahasuar më të gjitha bashkitë, përfshirë edhe Tiranën, është Shijaku. Në çdo hap, një përgjigje e institucionit sikur të ishte një institucion perëndimor në Shijak, e si ndodhi kjo?
Mos vallë erdhën nga Gjermania apo erdhën nga Franca nëpunësit e bashkisë së Shijakut që bashkia e Shijakut nuk ka shkelur një afat në bërjen e dokumenteve, në inventarizimin e gjithë dëmeve, në dhënien e bonuseve, në qëndrimin pranë qytetareve, në ndjekjen e punimeve, në të gjitha. Jo, shumica e njerëzve që punojnë në bashkinë e Shijakut janë po ata që punonin dhe përpara. Por çfarë ndryshoi në bashkinë e Shijakut?
Ndryshoi lidershipi. Bashkia e Shijakut nuk ka patur absolutisht asnjë kujdes më të veçantë sesa plot bashki të tjera dhe ja ku është sot. Është bashki kampion, ndërkohë që dy bashki të mëdha Tirana dhe Durrësi nga pikëpamja e funksionimit në këtë proces pavarësisht se kanë problematika shumë më komplekse, nuk diskutohet, etj por kanë çfarë të mësojnë nga bashkia e Shijakut.”