Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, ka paraqitur para Kuvendit projekt rezolutën kundër raportit të Dick Marty, ku hidhen akuza për trafik organesh në Shqipëri dhe Kosovë gjatë luftës.
Në fjalën e tij Balla theksoi se gjatë 10-viteve hetime nga autoritetet evropiane mbi krimet e pretenduara të Dick Martyt, nuk është gjetur asnjë provë apo fakt i vetëm.
Deputeti i PS u shpreh se nuk mund të vendosen paralele mes krimeve serbe dhe kauzës së UÇK
“Hetimet e thelluara nga task forca e BE dhe zyra e prokurorit të specializuar, pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty, për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre në Shqipëri apo Kosovë, të përfshira në rezolutë, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte edhe duhet të konsiderohen si të tilla nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Si rezultat kemi prezantuar para Kuvendit këtë rezolutë.
Synimi është t’i kërkojmë asamblesë parlamentare të PE, te realizojë një raport vijues dhe për pasojë rishikim të rezolutës së vitit 2011, duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të organeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Ripërsërisim thirrjen për të gjithë të interesuarit. Jam i bindur që kjo rezolutë do ketë mbështetjen e gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë“, u shpreh Balla.