Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se është vënë në dijeni dhe ka nisur hetimet për rastin e 7 të rinjve të shoqëruar nga Policia e kryeqytetit mbrëmjen e djeshme, pas disa pretendimeve për veprime arbitrare nga ana e efektivëve.
Për këtë arsye, Avokati i Popullit menjëherë ka ngritur dy grupe inspektimi për të verifikuar situatën dhe ka marrë kontakt me personat e shoqëruar, si dhe me zyrtarët policorë përgjegjës për kryerjen e procedurave në Komisariatin nr.2.
Sipas verifikimeve paraprake, 3 prej shtetasve kanë pasur pretendime se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Një shtetas ndërkohë ka marrë edhe ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të shkaktuara.
“Avokati i Popullit dënon këtu e në çdo rast veprimet e dhunshme dhe arbitrare nga ana e organeve ligjzbatuese dhe kërkon vendosjen në punë të mekanizmave të brendshëm të kontrollit të Policisë për gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve”, thuhet në reagim.
Sipas komunikatës së Policisë, 7 shtetas të moshave 17-28 vjeç, janë shoqëruar e më pas arrestuar mbrëmjen e djeshme pranë ambienteve të një qendre lojërash elektronike, pasi sikurse raporton Policia, ndaj tyre kishte ankesa nga qytetarët për prishjen e qetësisë publike.
Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:
Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni nga raportime të ndryshme në lidhje me rastin e 7 të rinjve të shoqëruar nga Policia e kryeqytetit mbrëmjen e djeshme si dhe disa pretendimeve për veprime arbitrare nga ana e punonjësve të Policisë ndaj tyre, dhe për këtë arsye menjëherë ka ngritur dy grupe inspektimi për të verifikuar situatën në vend.
Sipas komunikatës së Policisë por edhe nga verifikimet e kryera në Komisariatin e Policisë nr.2 në Tiranë nga ana e grupit të inspektimit të Avokatit të Popullit është mësuar se 7 shtetas të moshave 17-28 vjeç, janë shoqëruar e më pas arrestuar mesnatën e mbrëmshme pranë ambienteve të një qendre lojërash elektronike, pasi sikurse raporton Policia, ndaj tyre kishte ankesa nga qytetarët për prishjen e qetësisë publike.
Ekipi i Avokatit të Popullit ka marrë kontakt me personat e shoqëruar si dhe me zyrtarët policorë përgjegjës për kryerjen e procedurave në Komisariatin nr.2.
Sipas verifikimeve paraprake, 3 prej shtetasve kanë pasur pretendime se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Një shtetas ndërkohë ka marrë edhe ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga ndërhyrja e efektivëve të Policisë.
Avokati i Popullit dënon këtu e në çdo rast veprimet e dhunshme dhe arbitrare nga ana e organeve ligjzbatuese dhe kërkon vendosjen në punë të mekanizmave të brendshëm të kontrollit të Policisë për gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Ushtrimi i dhunës apo arrestimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme në kuadrin e standardeve demokratike dhe të shtetit ligjor mbi të cilat synohet të mbështeten institucionet tona. Avokati i Popullit do të vazhdojë hetimin administrativ mbi rastin dhe do të dalë me konkluzione e rekomandime të cilat do të paraqiten pranë institucioneve përkatëse.