Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy ministrat janë shprehur për nevojën dhe punën që po bëhet për të forcuar më shumë bashkëpunimin midis Kosovës dhe Austrisë
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kruz është duke zhvilluar një vizitë dyditore në Kosovë dhe sot është takuar me homolgun e tij, Hashim Thaçi. Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy ministrat janë shprehur për nevojën dhe punën që po bëhet për të forcuar më shumë bashkëpunimin midis Kosovës dhe Austrisë.
Në fjalën e tij, Thaçi është shprehur se Kosova është duke vazhduar përpjekjet për tërheqjen e investitorëve austriak dhe se institucionet janë duke punuar për krijimin e kushteve në këtë drejtim. “Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë t’i inkurajojmë edhe më tepër investitorët austriak që janë dëshmuar të suksesshëm në veçanti në sistemin energjetik ujor, që të vijnë edhe të tjerë dhe Kosova të merr atë përvojë, të hapen vende të reja të punës, të rritet mirëqenia e qytetarëve”, deklaroi Thaçi.
Ministri kosovar ka falenderuar gjithashtu Vjenën për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Nga ana e tij, ministri Kruz ka shprehur vullnetin e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe në zhvillimin ekonomik të saj. Ai ka thënë se shteti i tij do të përpiqet për të ndihmuar Kosovën të arrijë numrin e nevojshëm të votave për tu bërë pjesë e Këshillit të Europës.
“Ne me të gjitha përpjekjet tona ndërkombëtare, sidomos sa i përket organizatës së Këshillit të Evropës do të përpiqemi që ta japim mbështetjen tonë që atje të merrni 2/3 e votave të miratimit. Austria do të ndihmojë edhe në procesin e integrimit të vendit tuaj në Evropë”, u shpreh Kruz.