Policia ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje për drejtorin e Burgut të Fushë-Krujës Arben Suloj, i cili mbeti i plagosur dje pas një atentati me bombë në makinë. Policia do të marrë në mbrojtje Sulojin në ambjentet e Spitalit të Traumes në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët deklarojnë se gjëndja e pacientit është normalizuar.
Arben Suloj mbeti i plagosur dje ne orët e para të mëngjesit pas një atentati me eksploziv ndaj tij. Eksplozivi ishte i vendosur në pjesën e pasme të makinës dhe ka shpërthyer në lëvizje, në ambientet e brendshme të Portit të Durrësit.
Policia ka nisur hetimet dhe nuk bën të ditur akoma shkaqet e këtij atentati. Paraprakisht mendohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës. Ky ishte shpërthimi i tretë me eksploziv brenda dy ditëve të fundit në Durrës.