Policia greke ka vënë në pranga një tjetër shqiptar të arratisur nga burgu grek i Athinës disa ditë më parë.
Shqiptari 35-vjeçar u arrestua gjatë një aksioni policor në lagjen Nea Smirny të kryeqytetit grek. Më herët policia helene arriti të arrestojë edhe dy shqiptarë të tjerë, ndërsa në kërkim është edhe një tjetër.
Katër shqiptarët arritën të arratiseshin në mënyrë spektakolare nga burgu i Athinës. Një prej tyre u shtri në qelinë e burgut duke u hequr si i sëmurë, e ndërsa dy rojet e burgut hynë për ta ndihmuar, tre shqiptarët e tjerë i kërcënuan me thika të improvizuara duke i çarmatosur.
Më pas ata zbritën në korridoret e burgut ku hasën një oficer policie, të cilin e kërcënuan deri sa u hapi derën kryesore.