Komisioneri Ilirian Celibashi, vendosi të premten që t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve ndëshkime administrative për 3 kryetarë bashkie të Partisë Socialiste, për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe keqpërdorim të burimeve publike.
Gjobat në masën 10 mijë lekë u propozuan për Armando Subashin, kryetar i Bashkisë Fier, Nuri Belbën, kryetar në Bashkinë Prrenjas dhe Kastriot Gurrën, kryetar në Bashkinë Librazhd, pasi administrata e KQZ-së konstatoi se në aktivitetet publike të organizuara kanë marrë pjesë deputetët e zonës, të cilët kanë bërë thirrje politike.
Edhe pse në kundërshtim me dispozitat ligjore, KQZ ka konstatuar se deputetët dhe ministrat socialistë janë pjesë e aktiviteteve vendore ose përurimeve të investimeve publike, ku nuk lejohet fushata politike.
Si pasojë e denoncimeve nga organizatat e shoqërisë civile, Celibashi vendosi gjithashtu të ndalojë 6 aktivitete publike, ku merrnin pjesë ministra dhe deputetë socialistë, të planifikuara nga bashkia Kavajë, Gjirokastër, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Kulturës.
Sipas akteve të Komisionerit, ato janë në shkelje për shkak të pjesëmarrjes së personave partiakë dhe në shkelje të afateve ligjore për raportim, por edhe në këtë rast parishikohej pjesëmarrje e ministrave ose të zyrtarëve politikë të Partisë Socialiste në zonë.
Në një aktivitet të bashkisë Kavajë në një takim me nxënësit ekselentë të qytetit ishin ftuar deputeti i zonës, Etjen Xhafaj dhe drejtues partiakë të PS-së. Edhe pse bashkia e cilësonte “takim informues/ndërgjegjësues”, Komisioneri konstaton se një aktivitet që zhvillohet “me pjesëmarrjen e personave partiakë përbën veprimtari të ndaluar”.
Masat administrative pasuan një apel publik të Celibashit ndaj zyrtarëve lokalë, duke u kërkuar që t’i kryenin inagurimet e investimeve publike dhe veprimtaritë e tjera pa prezencën e politikanëve.
“Nuk ka asnjë arsye dhe është e dënueshme edhe formalisht nga pikëpamja ligjore nëse këtë aktivitet e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, deputetëve apo funksionarëve të tjerë politikë,” tha ai pak ditë më parë.
Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, i tha BIRN-it se nga monitorimi i bërë nga aktivistët e kësaj organizate është vënë re një intensifikim i pjesëmarrjes së deputetëve dhe emisarëve politikë në aktivitetet lokale periferike të zhvilluara nëpër bashki.
“Kjo tregon qasjen e përhershme të përdorimit politik të pushtetit në kohë fushate, por me afrimin e fushatës pritet të kemi pjesëmarrje më të lartë,” thotë ai.