President Bajram Begaj ka dënuar aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës nga ana e Rusisë përmes referendumeve të rremë, duke e cilësuar si një lajm të keq për botën.
Në një postim në rrjetin social, Twitter, Begaj shkruan se Kremlini po dhunon integritetin e territoreve të Ukrainës, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjet ndërkombëtare.
“Dënoj fuqishëm dhunimin e integritetit të territoriteve të Ukrainës nga Rusia. Shkelja e hapur e flagrante e ligjeve ndërkombëtare nga Rusia është një lajm i keq për paqen dhe rendin e botës”, shkruan në Twitter Begaj.
Sot gjatë një ceremonie në Moskë, pavarësisht thirrjeve nga shtete perëndimore që Rusia të mos e ndërmerrte këtë hap, Putin ka thënë se banorët e rajoneve të aneksuara kanë marrë vendimin e tyre.
“Jam i sigurt se Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse… sepse ky është vullneti i miliona njerëzve. Qytetarët bënë zgjedhjen e tyre,” tha Putin, për rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.