Ambasada e SHBA kujtoi dje 30 vjetorin e vizitës së Sekretarit James Baker në Tiranë, i cili u bë zyrtari i parë që erdhi në Shqipëri pas daljes së saj nga periudha e izolimit komunist. Mirëpo, në asnjë foto nga ato që shpërndante Ambasada, nuk ndodhej ish-kryeministri Berisha, i cili ishte personi që ftoi Sekretarin Baker në Shqipëri.
“Sot, ne përkujtojmë 30 vjetorin e zyrtarit të parë të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara që vizitoi Shqipërinë pas periudhës së saj të gjatë të Izolimit. Më 22 qershor 1991, qindra mijëra shqiptarë u derdhën në sheshin kryesor të Tiranës duke brohoritur “SHBA! SHBA”, është një pjesë e mesazhit që shpërndau Ambasada e SHBA dje.
Sot, është vetë ish-kryeministri Berisha që ndan një foto nga vizita e Baker në Tiranë dhe një pjesë të fjalës së tij para mijëra shqiptarëve që u derdhën në shesh në atë ditë. Shkrimi i ish-kryeministrit nis pikërisht me fjalën e Sekretarit James Baker.
“Doktor Berisha më ftoi të vizitoja Shqipërinë dhe unë erdha sa më shpejt kisha mundësi”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan në mes të Tiranës.
Mesazhi kryesor që ai dha ishte se SHBA po kthehej te shqiptarët dhe se rruga e demokracisë do ishte e pandalshme. “Unë i them popullit të Shqipërisë: Amerika po kthehet te ju.”
“Miq të dashur! Këtu, si në Amerikë, demokracia nuk mund të jetë vetëm një ideal. Ajo duhet të jetë realitet. Dhe në këtë drejtim, përderisa ju do të vazhdoni të angazhoheni, ne do t’ju mbështesim ashtu siç ju kemi mbështetur në fillim të këtij shekulli, kur Presidenti Uillson mbështeti çështjen tuaj. Jam shumë krenar që Presidenti im dhe vendi im janë me ju në këtë dekadë të fundit të shekullit të 20-të dhe mbështesin një Shqipëri të lirë e të pavarur. Çdo pjesë e këtij kontinenti, ashtu si çdo qytetar i këtij vendi, duhet të jenë pjesë e asaj që Presidenti Bush e ka cilësuar si një Europë e bashkuar dhe e lirë.
Në përfundim, miq të dashur, me lejoni të theksoj se unë shpresoj që nga sot populli amerikan dhe populli shqiptar do të besojnë në të njëjtat ideale, në një qeveri të hapur, në mjetet e hapura të informacionit, në një ekonomi të hapur dhe në një shoqëri të hapur, për arsye se këto, miq të dashur, do të sigurojnë lirinë. Dhe liria jep rezultate. Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë”, u shpreh ndër të tjera Sekretari amerikan nga Sheshi Skënderbej.