Ambasada e Kosovës në Bruksel ka vendosur lule dhe ka ndezur qirinj në nderim të policit të vrarë në krye të detyrës, në Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku.
Ambasadori Agron Bajram ka shkruar në një postim në Facebook se bashkëatdhetarët janë të gatshëm për të ofruar mbështetje për vendin.
“Sot, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, përfaqësues nga komuniteti ynë në Belgjikë, kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në nderim të heroit Afrim Bunjaku, rreshterit policor të rënë në detyrë, i vrarë nga terroristët e mbështetur dhe organizuar nga Serbia.
Bashkatdhetarët tanë janë gjithmonë të gatshëm dhe unik për të ofruar mbështetje për Republikën e Kosovës, demokratike, të pavarur dhe evropiane”, ka shkruar ai krahas fotove të publikuara në rrjetet sociale.
Afrim Bunjaku luftoi deri në fund për Kosovën duke qenë një nga rreshterët më profesionistë të vendit. Kujtojmë se ai u vra të dielën nga grupet terroriste serbe gjatë sulmeve në veri, si dhe u plagosën dy policë të tjerë. Nga shkëmbimi i zjarrit u vranë dhe tre agresorë serbë, si dhe u arrestuan pesë të tjerë. Për vrasjen e policit pati reagime të shumta nga politika shqiptare dhe ndërkombëtarët, të cilët dënuan aktin terrorist.