Kryeministri Albin Kurti u është drejtuar me një video-mesazh serbëve të Kosovës, lidhur me vendimet e Qeverisë së tij për lëshimin e dokumentit hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare për qytetarët që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Kurti u është drejtuar atyre në gjuhën serbe, derisa u ka bërë thirrje që t’i besojnë Qeverisë së tij, shkruan newsbomb.al. Sipas rregullit të ri, shtetasit serbë që jetojnë në Kosovë dhe mbajnë dokumente identifikimi të Serbisë, do të pajisen me dokument hyrje-dalje sa herë kalojnë kufirin.
“Në respektim të ligjeve të Republikës së Kosovës, nga e hëna më 1 gusht 2022, do të fillojë lëshimi i dokumentit hyrje-dalje në të gjitha pikat tona kufitare për qytetarët që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, shkruan Kurti dhe ndan video-mesazhin.
Kryeministri i Kosovës thekson se në të njëjtën ditë do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale, të cilat do të kthehen në targa RKS. Por ky rregull i ri i vendosur nga Albin Kurti duket se bie ndesh me regjimin e ri të lëvizjes me të cilin kanë rënë dakord liderët rajonalë në Ballkanin e Hapur.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që qytetarët e tre vendeve, në advancë dhe qytetarët e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të udhëtojnë pa u kontrolluar në Dogana dhe pa mjete identifikimi, sikur në vendet europiane.
Ama vendimi i ri i marrë nga Qeveria e Kosovës, duket se bën një hap pas në zbatimin e kësaj marrëveshje, pavarësisht se Kurti nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të Ballkanit të Hapur dhe e ka kundërshtuar nismën, shkruan newsbomb.al.