Deputetja demokrate Albana Vokshi ka denoncuar këtë të hënë nga ambientet e SPAK mos fillimin e hetimeve, siç tha ajo, nga Prokuroria e Posaçme për një sërë denoncimesh zyrtare të PD-së, si dhe zhvendosjes së votuesve për zgjedhjet e 14 Majit.
Gjatë deklaratës për mediat, ajo tha se në Partinë Demokratike është ngritur një grup pune që do të merret me dokumentimin e asaj që ata e quajnë “masakër zgjedhore”, për t’ua dërguar më pas ODIHR dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Nëse drejtësia do kishte funksionuar, atëherë 1.3 milionë zgjedhës nuk do ishin zhvendosur nga zonat e votimit. Nëse drejtësia do kishte vepruar, edhe partia nuk do ishte bërë njësh për shtetin. Nuk do ishin dhënë dhe para nga buxheti, si bonusi i rindërtimit.
Një grup pune është ngritur pranë PD dhe po punon me intensitet, një dosje voluminoze, fakte konkrete që do i dërgohen ODIHR dhe misionit ndërkombëtar.
Unë kam bërë një analizë të votuesve në Laprakë, dhe më shumë se 12 mijë votues janë shpërngulur në objekte të tjera ose qytete të tjera. Ndërkohë, SPAK thotë që nuk e hetojë këtë çështje. Unë mendoj se një institucioni si SPAK nuk i lejohet një mos-hetim i një masakre të tillë”, u shpreh Albana Vokshi.
Deputetja e PD, tha se edhe për denoncimet e tjera si Aktivisti dhe punësimet në Kadastrë, nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret nga SPAK.
“Po ashtu, asnjë hap për Aktivistin. Asnjë hap nuk është bërë. Gjithë administrata është angazhuar. Edhe Kadastra. Ka një sërë çështjesh që i kemi ndjekur zyrtarisht. PD përsëri nuk dekurajohet. Megjithëse vonë, drejtësia duhet të funksionojë”, vijoi ajo.