Administrata e Joe Biden ka ngritur alarmin, pasi beson se Rusia do të kërcënojë se do të vrasë familjet e ushtarëve ukrainas nëse ata nuk dorëzohen.
“Informacionet tona tregojnë gjithashtu se Rusia planifikon të kërcënojë me vrasjen e anëtarëve të familjeve të ushtarëve ukrainas nëse ata nuk dorëzohen”, tha një zyrtar amerikan, i cili gjithashtu përgëzoi “trimërinë e jashtëzakonshme” që ukrainasit treguan në ditën e parë të luftimeve.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka paralajmëruar për mundësinë e abuzimeve të përhapura të të drejtave të njeriut kundër popullit ukrainas të kryera nga Rusia.
“Të gjitha provat sugjerojnë se Rusia synon të rrethojë dhe kërcënojë Kievin, dhe ne besojmë se Moska ka zhvilluar plane për të shkaktuar abuzime të përhapura të të drejtave të njeriut dhe potencialisht më keq mbi popullin ukrainas”, tha Blinken dje.