Një palë gërshërë të humbura kanë vënë në alarm autoritetet në Burgun e Drenovës. Të gjithë të dënuarit që janë në këtë institucion janë kontrolluar një për një për të arritur te personi që I ka vjedhur nga spitali i burgut.
Në shërbim ka qenë një infermier nga Korça, i cili pretendon se i ka lënë gërshërët tek infermieria, por kur është bërë inventari ato mungonin.
Dyshimet janë se gërshërët mund të përdoren për ngjarje kriminale nga i burgosuri që i ka marrë ose të dënuar të tjerë.
Sipas News 24, dyshohet se i burgosuri i sigurisë së lartë Klement Ibrahimi të jetë ai që i ka marrë gërshërët, gjatë kohës kur po merrte serum në spitalin e burgut.
Në këtë burg ndodhet edhe Lefter Reçi, i cili është i penduari i drejtësisë që ka rrëfyer para autoriteteve për ngjarjet kriminale ku është përfshirë Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha. Pikërisht, frika më e madhe e Policisë së Burgut të Drenovës, është mundësia e eleminimit të Lefter Reçit.
Me kontrollet që janë bërë të të gjithë të dënuarit, gërshërët e humbura nuk janë gjetur ende. Dje mësohet se në IEVP Drenovë kanë shkuar forca operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe po hetohet lidhur me këtë rast.