Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 20 mijë kokrra vezë në Korçë dhe produkte ët tjera ushqimore, kryesisht mish pule, pasi subjektet që i tregtonin kishin disa probleme. Janë vendosur në 11 gjoba, me vlerë 21 milionë lekë të vjetra.
Trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë monitorimit në qarkun Korçë në njësi të tregtimit të produkteve të mishit, mishit të pulës dhe të vezëve, ka konstatuar disa subjekte në cenim të sigurisë ushqimore, për tregtim të ushqimit të pasigurt, në mungesë gjurmueshmërie, etiketimi dhe afat të kaluar të përdorimit.
Nga kontrollet e kryera në subjektet me iniciale “E”, “H.E”, “A.C”, “Ll”, “ZH” dhe “K.F”, u konstatua hedhja në treg e ushqimit të pasigurt për konsum, tregtimi i produktit vezë pa vulën përkatëse dhe të paetiketuara, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, tregtimi i produkteve ushqimore me afat të kaluar përdorimi si dhe ushtrim i aktivitetit i pa pajisur me licencën përkatëse.