Në një deklaratë për shtyp të ditës së premte, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), theksoi rëndësinë e ngritjes së një rrjeti të formuar nga komunitetet lokale në Shqipëri, që po i shërbejnë kauzës mjedisore të mbrojtjes dhe rimëkëmbjes së popullatës së shkabës së Kalit të Qyqes në vendin tonë.
“Rrjeti ‘Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes’ (SEVN), i përbërë prej 40 profesionistëve të ndryshëm si fermerë, veterinerë, barinj e blegtorë, ka ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me konservimin dhe mbrojtjen e kësaj specie”, citojnë aktivistët mjedisorë në deklaratën për shtyp.
Kontributi i tyre konsiston në ngritjen e dy Stacioneve Ushqimore Suplementare në Nivicë dhe Glinë, stacione që ofrojnë ushqim të kontrolluar dhe pa helm, specifikisht rreth 40 kg ushqim në muaj për njërin çift të shkabave, si edhe 20-30 kg në javë për çiftin tjetër.
Kali i Qyqes është një ndër katër llojet e fundit të shkabave të viseve malore që shumohen në Shqipëri, dhe mbartin statusin e “rrezikuar”, shkruan BIRN.
Përgjatë viteve, në mbrojtje të species së Kalit të Qyqes janë ndërmarrë aktivitete të tilla si monitorime në terren, ndërtimi i stacioneve suplementare, aksione parandaluese ndaj rreziqeve që has kjo shkabë, shpërndarja e kiteve kundër helmimit, dhe së fundmi krijimi i këtij rrjeti komunitar.
Rrjeti SEVN nuk ndalet vetëm tek popullata e Kalit të Qyqes, por angazhohet dhe në mbrojtjen e shpendëve të tjerë.
“Rrjeti na ka ndihmuar të shpëtojmë edhe specie të tjera. “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes” na njoftuan për një shqiponjë të plagosur, duke bërë të mundur që ne të kujdeseshim menjëherë për të. Pas një muaji trajtim të vazhdueshëm mjekësor, Shqiponja e Artë u rikuperua dhe u rikthye përsëri në natyrë”, shkruan ekipi i PPNEA në deklaratën për shtyp mbi kontributin e rrjetit SEVN.