Partia Demokratike është ndarë prej muajsh në dy kampe, mes atyre që mbështesin kryetarin aktual Lulzim Basha dhe atyre që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha në betejën e tij për të rimarrë pas 8 vitesh drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Përballja e parë mes dy grupimeve ishte më 8 janar, kur mbështetës të Berishës rrethuan selinë e PD dhe tentuan marrjen me forcë të saj, shkruan newsbomb.al. Skena dhune që ngjanin me rethimin e Krujës, tym e gaz gjithandej. Dyer të shyera e dyer të blinduara, turma njerëzish që synonin të shkonin në zyrën e “Lul Pengut”, siç e quan vetë Berisha prej muajsh.
Pas 2 orësh përballje mes demokratëve që qëndronin në seli dhe atyre që ishin në oborr, protesta u shua me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Forcat Speciale qëndronin në gatishmëri prej mëngjesit të asaj të shtune dhe iu përgjigjën menjëherë kërkesës zyrtare për ndihmë nga PD-ja.
Deputetët dhe vetë kryetari Lulzim Basha, kërkuan ndihmë pasi u rrezikohej jeta.
Protesta u zhvendos në dyert e Prokurorisë së Tiranës, ku Sali Berisha shkoi dje për herë të parë pas 31 vitesh në politik, për të dëshmuar për skenat e dhunës. Pas tij shkoi dhe Fllamur Noka, ndërsa sot te “akuza e kryeqytetit” do të jenë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi.
Sali Berisha do të nisë këtë javë aksionin politik në bazë, për të kërkuar mbështetje ndoshta për një rrethim të dytë të Partisë Demokratike. Ai lajmëroi dje se këtë të dielë do të takohet me demokratët e Shkodrës sepse sipas tij “Revolucioni nuk do ndalet deri sa të marrim në dorë selinë.”
Lideri histroik i PD ka vendosur t’i rikthehet sërish “Foltores”, duke ftuar demokratët e Shkodrës që të dielën të mblidhen në orën 11:00 në “Pallatin e Sporteve”, shkruan newsbomb.al. Berisha nuk ka dhënë shumë detaje se çfarë do të ndodhë, por referuar “Foltoreve” qëllimi është i qartë; për të mbledhur sa më shuëm demokratë kundër lidershipit aktual të PD.
Pas këtij njoftimit të Sali Berishës, edhe selia blu nuk ka qëndruar në heshtje.
Lulzim Basha do “të mbyllet” në PD për të diskutuar me anëtarët e Këshillit Kombëtar të kësaj force politike. Një ndër çështjet kryesore që do të diskutohen do të jenë vendimet e Kryesisë së PD për përjashtimin përjetë të Sali Berishës dhe 8 naëtarëve të Rithemelimit nga Partia.
Këshilli Kombëtar është organi më i lartë në PD dhe mesa duket do ju vërë “vulën” vendimeve të Kryesisë.
“Informim mbi vendimet e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe diskutime mbi situatën e krijuar nga aktet e dhunës në datën 8 Janar. Shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Këshillit Kombëtar, të përgatitur nga grupi i punës së ngritur me vendim të Këshillit Kombëtar nr. 172, datë 23.12.2021”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD. /Newsbomb.al