Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller ka folur në një deklaratë për mosmarrëveshjen Indi-Kanada.
Mirëpo teksa fliste për këtë çështje, gazetarët nuk kanë lënë pa përmenduar as situatën e tensionuar në Kosovë, ku grupe terroriste serbe sulmuan policinë e Kosovës duke vrarë një efektiv dhe duke plagosur një tjetër.
Gazetari e ka pyetur zëdhënësin e DASH nëse do të ketë një hetim për përdorimin e armës snajper nga policia e Kosovës drejt serbëve.
Ai u shpreh se dënon sulmin ndaj policëve të Kosovës, teksa tha se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen ndaj çdo veprimi apo retorike që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën.
Gazetari: Një çështje urgjente përleshja e dhunshme në Kosovë. Një polic i Kosovës është vrarë si dhe katër, deri më tani të konfirmuar, shtetas serbë. Është konfirmuar se dy serbë janë vrarë nga një snajper. Duke pasur parasysh se policia e Kosovës financohet pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara, a do të bëni thirrje për një hetim mbi përdorimin e mundshëm të tepruar të forcës dhe brutalitetin policor nga forca policore e Kosovës, veçanërisht në dritën e përdorimit të raportuar të snajperëve?
Miller: Pra, së pari, ne dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të koordinuara ndaj policisë së Kosovës. I shprehim ngushëllime të thella familjes së rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë kryerjes së detyrës. Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi hetimor transparent dhe i bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, garantimin e sigurisë dhe sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE.
Gazetari: Dhe në lidhje me – përdorimin e raportuar të snajperëve?
Miller: Nuk i kam parë të konfirmuara ato raporte. Unë i kam parë raportet, por nuk do të flas me ta pasi ato nuk janë konfirmuar, me sa di unë.