Më 28 janar të vitit 1936, ka lindur poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai ka lindur në Gjirokastër, ku ka përfunduar edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.
Shkrimtari i madh dje ka festuar 87-vjetorin e lindjes, ku ka marrë shumë urime nga politikanë dhe personazhe të tjerë.
Në vitin 1958, Kadare ka mbaruar degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.