Një kufi mbi çmimin e naftës ruse do të kufizojë të ardhurat e Rusisë për “luftën e paligjshme në Ukrainë”, thonë SHBA. Kufiri, i miratuar nga aleatët perëndimorë të premten, synon të ndalojë vendet që paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi naftë të papërpunuar ruse.
Masa – që do të hyjë në fuqi të hënën – intensifikon presionin perëndimor ndaj Rusisë për pushtimin. Ukraina tha se kufiri i propozuar nga Perëndimi duhet të përgjysmohet, ndërkohë Rusia është shprehur se nuk do të furnizojë vendet që e zbatojnë atë.
Kufiri i çmimeve u vendos në shtator nga grupi G7 i vendeve të industrializuara (SHBA, Kanada, MB, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe BE) në një përpjekje për të goditur aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se kufiri i çmimeve do të kufizonte më tej financat e presidentit rus Vladimir Putin dhe “kufizonte të ardhurat që ai po përdor për të financuar pushtimin e tij brutal”, duke shmangur ndërprerjen e furnizimeve globale që mund të çojnë çmimet e naftës në rritje në mbarë botën.
“Me ekonominë e Rusisë tashmë në tkurrje dhe buxhetin e saj gjithnjë e më të zbehtë, kufiri i çmimit do të ulë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Putinit”, tha ajo në një deklaratë.