Kryedemokrati Lulzim Basha ka përkujtuar 55 vjetorin e vendimit të diktatorit Enver Hoxha për shkatërrimin e të gjitha Xhamive dhe Kishave.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se 30 vitet e tranzicionit nuk e kanë bërë drejtësinë për atë terror të pashembullt, teksa shprehet se në këtë përvjetor duhet të nderojmë sakrificën bujare të klerikëve dhe besimtarëve që e mbajtën ndezur dritën e besimit nën terrorin e regjimit komunist.
“Sot 55 vite më parë, diktatura që u kishte shpallur luftë të gjitha fuqive të globit, nisi luftën edhe kundër Zotit. Kishat, xhamitë dhe teqetë u hodhën në erë, klerikët u vranë, u torturuan dhe u burgosën, besimtarët u përndoqën.
Në këtë përvjetor ne duhet të nderojmë sakrificën bujare të klerikëve dhe besimtarëve që e mbajtën ndezur dritën e besimit nën terrorin e regjimit komunist. Dekadat e ankthit dhe shkretëtirës shpirtërore e morale nuk duhen harruar kurrë.
30 vitet e tranzicionit nuk e kanë bërë drejtësinë për atë terror të pashembullt. Modelet e asaj tradite të keqe komuniste vijojnë të lëndojnë lirinë dhe virtytin e besimit”, shkruan Basha.