Kryetari i komanduar i PD, Enkeljd Alibeaj ka mbledhur këtë të premte Kryesinë, për të marrë një vendim për emrat e kandidatëve që do të garojnë me logon e kësaj force politike, në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Mbledhja ka nisur në ambientet e reja, përballë Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në orën 14.00 Alibeaj do të takohet dhe me deputetët e Grupit Parlamentar.
Afati i fundit për të dorëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve emrat e kandidatëve është 27 Marsi. Megjithatë, ndryshe nga partitë e tjera, Partia Demokratike ndodhet në një situatë të vështirë dhe deputetët kanë qëndrime të ndryshme.
Një opsion që diskutohet në PD është dalja vetëm me anëtarë për këshillat bashkiakë. Kjo tezë është e përkrahur nga pak deputetë, pasi shumica thonë se kjo forcë politike është më e madhja opozitare dhe nuk mund të përfaqësohet vetëm me anëtarët e këshillave.
Teza e dytë që është hedhur në diskutim dhe që mbledh një numër të madh të deputetëve të Partisë Demokratike, është që kjo forcë politike të garojë me 61 kandidatët e saj në të gjitha bashkitë e vendit, e po ashtu dhe me një listë të plotë, të vetën, të anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Demokratët kanë propozuar dhe një opsion të tretë, i cili gjithashtu është i pranuar nga deputetët, pavarësisht ndasive. Ata kërkojnë që PD të dalë me kandidatët e saj për bashkinë dhe këshillat, por në ato zona ku Rithemelimi i Sali Berishës i ka prezantuar emrat e vetë, të mos çohet kandidat tjetër.