22 vjeçarja nga fshati Orman i Maliqit tentoi mbrëmjen e djeshme të vetëvritej me thikë, por fatmirësisht u shëptua në kohë nga familjarët, të cilët e dërguan menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka hetuar për ngjarjen dhe ka zbuluar se e reja ishte në gjendje të rënduar psikologjike për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti i saj, E.R. Efektivët kanë arrestuar 34 vjeçarin, ndërkohë që ai do të merret në pytje për të zbardhur të gjithë ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila më pas tentoi të vetëvritej, vihet në pranga 34-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Orman, Maliq, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit E. R., 34 vjeç, banues në këtë fshat.
Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se ky shtetas në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, ndaj bashkëshortes së tij shtetases E. R., 22 vjeçe, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, ka tentuar të vetëvritet me thikë dhe ndodhet në Spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.