Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet ditën e premte, 3 qershor 2022. Referuar njoftimit zyrtar, do të mbahen zgjedhjet në disa funksione drejtuese të PD dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statut.
Lajmin e ka bërë me dije kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, pak orë pas mbledhjes që nisi prej paradites së sotme dhe u mbyll pasdite, me zgjedhjen e 20 anëtarëve të rinj të Kryesisë së kësaj force politike.
Emrat më të votuar në Kryesinë e re janë Belind Këlliçi nga burrat me 192 vota, ndërsa nga gratë më e mbështetura është Fatbardha Kadiu me 141 vota. Këshilli votoi dhe për ish-presidentin Bujar Nishani, por pasi lajmi i vdekjes mbërriti, votat nuk u numëruan.
“Njoftim për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike! Ditën e premte, më datë 3 qershor, ora 17.00, do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese të PD dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e PD”, njofton Paloka.