Arlind Gjokutaj, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, është lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” nga Gjykata e Tiranës. Ai u arrestua muaj më parë bashkë me dy përmbarues, pasi akuzohen se i shkaktuan shtetit dëm 1.2 milionë euro.
Gjokutaj menjëherë pas arrestimit është dërguar në spital në repartin e kardiologjisë, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Edhe përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori i çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj, të cilët u arrestuan në janar 2023 bashkë me Sekretarin e Ministrisë së Financave, janë lënë në masë sigurie “Detyrim paraqitje”.
“Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH. [Ilir Thana], në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015”, bën me dije Prokuroria.
Organi i akuzës thotë se e gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cënon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro, ose 1.5 miliardë lekë.